Pedagogu Gert Metani mbajti një fjalim gjatë protestës para Kryeministrisë, ku ndau përvojën e tij profesionale dhe ngriti shqetësime për funksionimin e institucioneve publike, sistemin arsimor dhe përdorimin e fondeve publike.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë dhe shprehu kritika ndaj gjendjes së arsimit, policisë dhe kërkimit shkencor.
“Ju jeni njerëz të lirë të një populli të robëruar. Vetëm nga qytetarët që reagojnë mund të vijë ndryshimi. Arsimi, policia dhe institucionet kanë nevojë për reforma të thella,” deklaroi Metani.
Ai foli edhe për përvojën e tij si ish-pjesëtar i forcave RENEA, duke thënë se u largua nga Policia e Shtetit për shkak të mënyrës së funksionimit të strukturave drejtuese, ndërsa aktualisht ushtron profesionin e pedagogut.
Në vijim, Metani ngriti shqetësime për mungesën e investimeve në infrastrukturën për fëmijët, mbështetjen për studentët dhe kërkimin shkencor, si dhe për vështirësitë ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen pedagogët.
Në përfundim të fjalës, ai tha se protesta lidhet me kërkesa për ndryshime në qeverisje dhe institucione, duke përmendur si shqetësime përdorimin e fondeve publike, përfaqësimin politik dhe luftën kundër korrupsionit.
