Kjo e hënë shënon përfundimin e afatit që mazhoranca i ka lënë Partisë Demokratike për t’i dhënë fund bojkotit disa javor dhe për t’u rikthyer në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale.
Nëse demokratët nuk marrin pjesë në mbledhjen e sotme, konsensusi i arritur në nisje të procesit do të prishet dhe Partia Socialiste pritet të marrë shumicën e anëtarëve dhe drejtimin e komisionit, duke i hequr opozitës barazinë e votave dhe të drejtën e bashkëkryesimit.
Gjasat për një rikthim të PD-së në komision mbeten të ulëta, pasi më 30 janar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konfirmoi vijimin e bojkotit. Ai deklaroi se PD nuk do të bashkëpunojë me PS-në për sa kohë, sipas tij, mazhoranca po bllokon drejtësinë në çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku.
Ndërkohë, Kuvendi ka futur në rendin e ditës së seancës plenare të së martës ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Reformën Territoriale. Me këto ndryshime, opozitës i hiqet barazia e numrave dhe bashkëkryesimi, duke i hapur rrugë mazhorancës për të marrë kontroll të plotë mbi procesin.
Në të njëjtën orë me mbledhjen e Komisionit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet në selinë blu për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare të së martës.
Situata pritet të jetë vendimtare për fatin e Reformës Territoriale, ndërsa përplasja politike mes mazhorancës dhe opozitës mbetet e ashpër.
