Gjatë ditës së premte, vendi do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash dhe intervale të shkurtra kthjellimesh.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme herë pas here që nga orët e para të ditës deri në mesditë, në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët. Lokalisht në zonat qendrore dhe perëndimore priten shtrëngata afatshkurtra.
Në Alpe dhe në zonat e larta malore të verilindjes dhe juglindjes parashikohen reshje bore me intensitet të dobët.
Era do të fryjë nga juglindja drejt veriperëndimit me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina pritet të arrijë deri në 9 m/s.
Deti do të paraqitet me valëzim të lehtë, të forcës 1–2 ballë.
