Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur sulmeve që I janë bërë drejtuesit politik të PD së Tiranës, Belind Këlliçi nga deputeti socialist Plarent Ndreca.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka nxjerrë blof gënjeshtrën e deputetit socialist, Ndreca, me pretendimin e këtij të fundit se nuk ka asnjë dosje në SPAK në emër të tij.
‘Sot një deputet periferik i Edi Ramës paska sulmur me gjuhën e gënjeshtrave të Erion Veliajt kolegun Belind Këlliçi. Është i njëjti deputet i PS që gënjeu të enjten publikisht në emisionin “Opinion” kur tha që s’ka asnjë problem në SPAK’, thuhet në reagimin e Bardhit.
Duke I bashkangjitur reagimit të tij edhe pjesë nga dosja hetimore në ngarkim të Plarent Ndrecës, Bardhi thotë se SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Ndreca ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit.
