Partia Demokratike ka depozituar një tjetër kërkesë për thirrjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me çështjen e ministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit në kuadër të hetimeve të ndërmarra.
Pesë anëtarët e PD-së kanë bërë një tjetër përpjekje për mbledhjen e këtij organi parlamentar, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut.
Një ditë më parë u shënua dështimi për herë të katërt i mbledhjes së Këshillit të Mandateve, për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, opozita reagoi menjëherë duke depozituar një kërkesë të re për zhvillimin e seancës.
Sipas raportimeve, deputetët socialistë nuk u paraqitën në mbledhjen e djeshme, duke argumentuar se Këshilli duhet të mblidhet vetëm pasi të ketë një vendimmarrje nga GJKKO dhe Gjykata Kushtetuese.
Situata ka thelluar përplasjet politike në Kuvend, ndërsa opozita këmbëngul që kërkesa e SPAK të shqyrtohet pa vonesa të mëtejshme.
