Rikthimin e kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend, pas 11 muajsh në arrest shtëpie, analisti Mentor Kikia, e sheh si vazhdimin e politikës së tij aty ku e kishte lënë.
Ai tha në një intervistë televizive, se tashmë pritet të shihet roli që Berisha do të luajë në rigjallërimin e Partisë Demokratike.
Kikia deklaroi se qytetarët duhet të shohin një alternativë dhe se Berisha u rikthye në Kuvend dhe e nisi aty ku e la.
Sipas tij, qytetarët duhet të shohin ofertën ekonomike dhe politike për ta.
“Me rikthimin e tij, Berisha nuk vonoi të kapte menjëherë foltoren për tu rikthyer aty ku e kishte lënë para 11 muajsh.
Nuk ka asgjë të re, është sërish Berisha, ai që ka qenë me të njëjtin fjalor, ajo që mbetet për tu parë, do të jetë roli që Berisha do të luajë në rigjallërimin e PD, tashmë e rikthyer me të gjitha të drejtat e veta ligjore, me vulë dhe seli, se çfarë starti do të marrë opozita, kur zgjedhjet janë vetëm pesë muaj larg, kur prezantimi i platformave dhe alternativave.
Nuk është thjeshtë çështje procedurash, por një detyrë urgjente, në mënyrë që opozita të mos jetë në pritje të radhës për marrjen e pushtetit, se tashmë është prishur radha, Partia Socialiste kërkon mandatin e katërt.
Sa i takon buxhetit, padyshim detyra e opozitës është të bëjë amendamente, të propozojë sektorë për ndarjen e fondeve, por deri këtu, buxheti është e drejtë ekskluzive e mazhorancës.
Berisha u rikthye në Kuvend dhe e nisi aty ku e la, ndërkohë që qëndronte në shtëpi mund t’i pranojmë gjuhën e ashpër dhe retorikën me sulme ndaj drejtësisë, por me daljen në liri dhe vazhdimin e procesit, në një farë mënyre thoshim e sulmon se ka hallin e tij personal dhe e shndërroi shtëpinë në një bunker politik dhe Berisha nuk duhet të vazhdojë me të njëjtën gjuhë dhe të sulmojë SPAK se ka një çështje në gjyq.
Tashmë nuk ka më detyrë që ta kthejë selinë e PD, në ballkonin e shtëpisë së tij, që të vazhdojë më të njëjtën retorikë dhe mision, por të kthehej me objektivin se çfarë do të bëhej me PD dhe opozitën në tërësi.
Nuk po e shikojmë këtë, ai vazhdon me të njëjtën gjuhë para kamerave, me të njëjtën gjuhë në parlament. Qytetarët duhet të shohin alternativën dhe ofertën për ta.
Duhet ofertë ekonomike se çfarë do të bëhet dhe kush është prioriteti ekonomik. Tjetra është oferta politike, kush është lidershipi që kërkon të qeverisë nesër.
Lidershipi është Sali Berisha, programi politik është këta janë hajdut. Që Rama është i korruptuar, nuk mjafton që Rama të vijë në pushtet.
Demokratët thjesht u gëzuan se kishin një vit që shkonin bënin qokën te rrugica e Salës, por nuk zbuluan një lider të ri.
Është i njëjti njeri që ka qenë në krye të PD, thjesht shënoi një çerek fitore me drejtësinë, pasi do jetë sërish në gjykatë.
