Lulzim Basha as nuk ka negociuar dhe as nuk negocion me Sali Berishën, reagon grupi anti-Foltore, i mbyll derën e…

Data

Pas qarkullimit të lajmit për një bashkëpunim mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në emisionin “Top Talk”, në “Top Channel”, nga gazetarja Juli Xhokaxhi, ku kjo e fundit e artikulonte një mashtrim të tillë, ka ardhur dhe një reagim nga Demokratët Euroatlantikë (Grupi anti-Foltores së Berishës). “Lulzim Basha as nuk ka negociuar, as nuk ka kërkuar të negociojë dhe as nuk negocion me Sali Berishën. Këto janë pretendime të rreme, të cilave u jepet jehonë nga gazetarë që me, apo padashje shndërrohen në përcjellës të mashtrimeve të zërave të Berishës dhe nuk marrin mundimin që, përpara se t’i servirin para qytetarëve, të pyesin edhe palën tjetër.

Një ndër to është edhe emisioni “Top Talk”, në ‘Top Channel’, nga gazetarja Juli Xhokaxhi, ku kjo e fundit e artikulonte një mashtrim të tillë. Nëse gazetarja në fjalë nuk do të anulonte, nuk e dimë se me urdhër të kujt, intervistën me Bashën do t’i kishte marrë direkt të gjitha përgjigjet. Por, nëse do të bënte sado pak rolin e gazetares do ta gjente një përgjigje të tillë në të gjitha emisionet e kolegëve të saj dhe në konferencën për shtyp. Siç ka deklaruar Lulzim Basha vazhdimit, rrugët me Sali Berishën janë ndarë që më 9 shtatorin e 2021-shit. Çdo mashtrim, apo manipulim mediatik ka vetëm një qëllim: T’i shërbejnë pazarit të Sali Berishës dhe Edi Ramës”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit.

Basha vijon takimet me strukturat

Ndërkohë më herët kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të degës 7 në Tiranë, për vijimin e aksionit opozitar, për përmbylljen e evidentimit të kandidaturave për deputet, shpalosjen e programit qeverisës dhe konsolidimin e aleancave parazgjedhore për garën elektorale të vitit të ardhshëm.

“Ne nuk do të mbetemi peng të betejave ligjore ka deklaruar Lulzim Basha, vendimi për rekurs është i pakthyeshëm dhe do të dorëzohet sapo të zbardhet nga Gjykata e Apelit, të cilës i kemi kërkuar të zbatojë pa vonesë ligjin, në të kundërt do t’i drejtohemi të gjitha instancave përkatëse KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut, sikundër do të informojmë partnerët strategjikë për këtë skandal të radhës të Gjykatës së Apelit. Por ne nuk do të mbetemi nën hyqmin e këtij procesi që do të ndiqet nga juristët tanë, por do të vijojmë shpalosjen e alternativës, evidentimin e kandidatëve dhe përmbylljen e koalicionit parazgjedhor me të gjitha forcat politike që janë në një gjatësi vale me ne. Që mbështesin pa kushte SPAK, që kërkojnë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe mbylljen e kapitullit të mundimshëm të tranzicionit, që ka varfëruar dhe shpopulluar Shqipërinë”, tha Basha.

Ndër të tjera, kreu i Demokratëve Euroatlantikë tha se tashmë qytetarët e kanë kuptuar pazarin mes Ramës dhe Berishës, i cili u ekspozua edhe në seancën parlamentare, ku kreu i SPAK vërtetoi akuzat e ngritura nga Basha se amnistia penale i shërbeu të korruptuarve të Edi Ramës, dhe me votën e Sali Berishës mbajti në burg protestuesit që u ngritën kundër padrejtësive të qeverisë. Basha më tej shton se ky pazar ishte vetëm hapi i parë, që më pas vijoi me pengimin e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe vendimin skandaloz për vulën, që sipas tij ka në thelb një ujdi që i siguron pushtetin dhe 4 vite të tjera Ramës, ndërsa Berishës i lejon mbajtjen në këmbë të teatrit opozitar.

“Ne qëndrojmë përballë këtij pazari kundër interesit të shqiptarëve. Asgjë nuk na lidh me Ramën dhe Berishën, prandaj nuk do të lejojmë që alternativa e vetme në zgjedhjet e ardhshme të jetë oferta e tangos me refrenin se kush nga ata është më pak i korruptuar, Rama apo Berisha. Bashkimi i të gjitha flukseve opozitare, kundër kësaj Katovice të re, është prioritet absolut përpara zgjedhjeve të ardhshme, ku shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin dinozaurët e tranzicionit, apo një rrugë të re, me një politik ndryshe, që ka në fokus hallet e qytetarëve, që lufton korrupsionin dhe siguron një jetë më të mirë për familjet shqiptare”, vijoi Basha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related