Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj që të mos ndërhyjë përmes Kabinetit të tij, në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Duke ju referuar rastit të anëtarit të KAS Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht edhe Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi sqaron se angazhimi i Kabinetit të Presidentit në procesin e administrimit të zgjedhjeve nënkupton që Institucioni i Presidentit të Republikës po cënon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.
PD i referohet gjithashtu edhe raportit paraprak të OSBE-ODIHR, ku evidentohet “shkrirja e shtetit me partinë në pushtet”, ndërsa paralajmëron se përfshirja e Presidencës në këtë proces do të ishte një atentat ndaj demokracisë dhe Kushtetutës.
Grupi Parlamentar i PD kërkon nga Presidenti Begaj të sqarojë nëse ka autorizuar këtë përfshirje, si dhe të distancohet nga qëndrimet publike të Kabinetit ndaj përfaqësuesve të opozitës në KQZ.
Letra e plotë:
I nderuar z. President i Republikës, Me shumë shqetësim dhe në shkelje flagrante të parimit të neutralitetit politik të Institucionit të Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me faktin e përfshirjes së Kabitetit tuaj në procesin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit të Republikës është organ kushtetutes i pavarur, pa asnjë rol në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
