PD i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dy komisioneve hetimore nga Kuvendi

Data

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetë të tjerë të opozitës kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë kundër vendimeve të Kuvendit që refuzuan ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare: një për investimet në infrastrukturën rrugore dhe një tjetër për funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Kërkesa, e firmosur nga 46 deputetë, është depozituar më 3 korrik 2026 dhe synon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës parlamentare dhe Kuvendit.

Sipas opozitës, shumica parlamentare ka cenuar të drejtën kushtetuese të një të katërtës së deputetëve për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore, duke rrëzuar me vendimet nr. 57/2026 dhe 58/2026, të miratuara në seancën plenare të 9 prillit 2026, kërkesat për krijimin e tyre.

Në argumentimin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, deputetët i referohen nenit 77 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi është i detyruar të ngrejë një komision hetimor kur kjo kërkohet nga jo më pak se një e katërta e deputetëve. Sipas tyre, kjo e drejtë nuk mund të kushtëzohet nga vullneti politik i shumicës parlamentare.

Komisioni i parë i propozuar kishte si objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar lidhur me investimet në infrastrukturën rrugore gjatë periudhës 2014–2025, me fokus përdorimin e fondeve publike, respektimin e procedurave ligjore dhe nxjerrjen e rekomandimeve për përmirësimin e administrimit të tyre.

Komisioni i dytë synonte hetimin e funksionimit të AKSHI-t, duke përfshirë çështje që lidhen me sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale, funksionimin e infrastrukturës digjitale shtetërore dhe ndikimin e saj në sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Opozita kundërshton argumentin e shumicës parlamentare se ngritja e këtyre komisioneve do të ndërhynte në kompetencat e organeve të drejtësisë apo të institucioneve të tjera të pavarura. Në kërkesë theksohet se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, ekzistenca e hetimeve nga prokuroria apo institucione të tjera nuk përjashton automatikisht të drejtën e Kuvendit për të ushtruar kontroll parlamentar.

Sipas deputetëve kërkues, komisionet hetimore nuk kanë për qëllim përcaktimin e përgjegjësive penale individuale, por verifikimin e veprimtarisë së institucioneve publike, evidentimin e problematikave në zbatimin e ligjit dhe hartimin e rekomandimeve për ndryshime ligjore apo institucionale.

Në kërkesë argumentohet gjithashtu se Kushtetuta nuk parashikon që komisioni hetimor të jetë mjeti i fundit i kontrollit parlamentar pas interpelancave, pyetjeve apo mocioneve me debat, duke theksuar se zgjedhja e instrumentit të kontrollit i takon deputetëve.

Për këto arsye, opozita kërkon nga Gjykata Kushtetuese të shpallë si të papajtueshme me Kushtetutën vendimet e Kuvendit për mosngritjen e dy komisioneve hetimore, si dhe ta shqyrtojë çështjen me përparësi, duke argumentuar se çdo vonesë mund të dëmtojë efektivitetin e kontrollit parlamentar.

Gjykata Kushtetuese pritet fillimisht të vendosë mbi pranueshmërinë e kërkesës dhe, nëse ajo pranohet, të vijojë me shqyrtimin në themel të çështjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related