Partia Demokratike, dega Elbasan, ka reaguar pas shembjes së aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, duke e cilësuar situatën si pasojë të korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike.
Në një deklaratë për mediat, PD thekson se rrëshqitja e tokës dhe bllokimi i këtij segmenti jetik kanë shkëputur lidhjen e juglindjes me Tiranën, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për qytetarët dhe bizneset e zonës.
Sipas opozitës, miliona euro janë investuar në projekte pa standarde, ndërsa sot qytetarët përballen me izolim, rritje të kostove të transportit dhe vështirësi në furnizim. Fermerët, tregtarët dhe kompanitë e transportit raportohen si më të prekurit nga situata.
PD Elbasan e cilëson ngjarjen si një “dështim teknik” dhe si tregues të një qeverisjeje që, sipas saj, vendos interesat klienteliste mbi interesin publik.
Në përfundim, dega e PD-së në Elbasan u bën thirrje banorëve të qarkut t’i bashkohen protestës paqësore të organizuar më 28 shkurt, në orën 18:00, në Tiranë, për të kërkuar llogaridhënie dhe për të mbrojtur, sipas tyre, të ardhmen ekonomike dhe evropiane të vendit.
