Ka një term që quhet “dark chess” dhe që nënkupton një lojë, në të cilën, lojtarët kanë informacion vetëm për pozicionimin e disa prej ushtarëve, apo gurëve të tjerë të lojës në tabelë dhe janë në errësirë të pozicionimit të pjesës tjetër. Kjo është ajo çfarë duket se po u luhet shqiptarëve nga të dy palët politike kryesore të vendit, grupi i Edi Ramës dhe socialistëve dhe grupi i Sali Berishës dhe demokratëve. Edi Rama, kryeministër nga viti 2013, kryetar i Partisë Socialiste, pasi ka dy vjet që këmbëngul se nuk ka në plan të bëjë marrëveshje me “non-gratën”, referuar Sali Berishës të sanksionuar nga Londra dhe Uashingtoni, duket tashmë i gatshëm fët e fët të arrijë kompromise sikur asgjë nuk ka ndodhur
Mësohet se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se po bashkojnë forcat për të kundërshtuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK-un) dhe për të minuar Reformën në Drejtësi. Në një atmosferë tensioni, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha dyshohet se po i drejtohen të njëjtit objektiv: Asgjësimin e Reformës në Drejtësi. Ky bashkëpunim mes dy rivalëve politikë nënvizon një taktikë të rrezikshme, ku interesat e ngushta partiake duket se janë vendosur përpara interesave të drejtësisë dhe transparencës. Si Berisha, ashtu edhe Rama përmes kryetari të Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, Fatmir Xhafaj, kanë dhënë dje sinjale të qartë se duan të fusin duart tek Reforma në Drejtësi, e madje të vënë nën kontroll SPAK-un.
Por ky pakt fluid mes PD dhe PS, është nuhatur nga Lulzim Basha, i cili ka ngritur alarmin, duke akuzuar liderët e dy partive se po përgatiten të amnistojnë “VIP-at” e korrupsionit, ata që siç theksoi ai, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre për 34 vite pa u ndëshkuar. Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se aleanca kundër SPAK është në veprim me kohë të plotë. Në një reagim në “Facebook”, Basha i referohet daljeve për mediat të Sli Berishës dhe Fatmir Xhafajt ditën e djeshme, që sipas tij janë të koordinuara ku njëri sulmonte hapur institucionin e drejtësisë, ndërsa tjetri kërkonte reformimin e tij, çka synojnë kontrollin e saj. Megjithatë a do të arrijnë këto aleanca të sabotojnë përpjekjet për një sistem të drejtësisë më të fortë, apo do të zbulojnë një herë e përgjithmonë lidhjet e errëta mes politikës dhe korrupsionit, kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.
Reagon Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka dje bërë thirrje BE-së dhe vendeve partnere të Shqipërisë, që të heqin dorë nga mbështetja ndaj kësaj drejtësie të kriminalizuar. Gjatë konferencës për mediat online, Berisha ka publikuar edhe shifrat e raportit të “World Justice Report”. Sipas Berishës, gjendja e drejtësisë në Shqipëri ka rënë me dhjetëra shkallë krahasuar me vitin 2015, kur ende nuk ishin bërë reforma sorosiane në drejtësi. “Për të drejtat civile, dhe këtu duhet të ndalem pak, Shqipëria edhe këtu ka një përkeqësim dramatik prej 44 vendesh. Mbante një pozicion në vendin e 55, kurse tani renditet në vendin e 101.
Por dramatike dhe dëshmi flagrante e dështimit të reformës së drejtësisë dhe drejtësisë së re janë treguesit që vijojnë. Për shembull, mosndërhyrja e qeverisë në vendimet civile, Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65. Pas reformës në drejtësi dhe shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi nga reforma e Xhorxh Sorosit, Shqipëria renditet në vendin e 110. Janë një seri vendesh si Nigeria, Kenia, Tunizia, Bangladeshi, të cilat renditen gjer në 25 vende më mirë se Shqipëria, kurse Kosova fqinje renditet 44 vende më mirë se Shqipëria. Në drejtësinë penale, Shqipëria renditej në vitin 2015, para reformës së drejtësisë, në vendin e 46.
