PD denoncon vonesat në ujësjellësin e Mamurrasit: Miliona euro të shpenzuara, qytetarët ende pa ujë

Data

Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj qeverisë për mënyrën se si po menaxhohet projekti i ujësjellësit të Mamurrasit, duke deklaruar se banorët e zonës vijojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, pavarësisht fondeve të konsiderueshme të investuara ndër vite.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se qeveria ka promovuar vazhdimisht projektin si një histori suksesi, ndërsa realiteti në terren, sipas saj, tregon të kundërtën.

Ajo kujtoi se më shumë se një vit më parë, gjatë një inspektimi në terren, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve deklaronin se rreth 45 për qind e punimeve ishin realizuar dhe se projekti do të përfundonte brenda vitit 2025.

Sipas Vangjelit, të dhënat publike tregojnë se për ndërtimin e ujësjellësit është kontraktuar kompania “Shansi Invest” dhe deri më tani janë disbursuar rreth 1.9 milion euro, ndërsa kostoja totale e projektit parashikohet të arrijë në mbi 11 milion euro.

“Ndërkohë që miliona euro nga taksat e qytetarëve janë investuar në këtë projekt, banorët e Mamurrasit vazhdojnë të përballen me mungesë uji. Kjo është e papranueshme për vitin 2026”, deklaroi përfaqësuesja e PD-së.

Demokratët kërkojnë nga Prokuroria e Posaçme që të nisë verifikimet për realizimin e punimeve dhe përdorimin e fondeve publike, duke hetuar nëse ekziston mospërputhje mes investimeve të raportuara dhe situatës reale në terren.

PD thekson se qytetarët janë lodhur nga propaganda dhe premtimet e papërmbushura, ndërsa kërkon transparencë të plotë për projektet publike që financohen me paratë e taksapaguesve.

“Uji nuk është luks, por një e drejtë themelore. Shqipëria ka nevojë për shërbime reale dhe jo për inaugurime e kronika propagandistike”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related