Nga Bujar Vreto
Sa poshtërsi duhet të ketë një njeri që, për të mbrojtur interesat e veta, zgjedh të përdhosë protestën qytetare në vend që të dëgjojë zërin e saj?
Njëra palë thotë se protestuesit paguhen nga shtete kundër Amerikës. Pala tjetër i etiketon si njerëz të Sorosit. Të dyja palët flasin me të njëjtën gjuhë, sepse të dyja kanë të njëjtin hall: t’ia heqin protestës legjitimitetin dhe të mbrojnë sistemin që i ka ushqyer për më shumë se tri dekada.
Pastaj dalin edhe ata që i quajnë protestuesit “opozita e opozitës”.
Jo.
Opozita nuk është në studiot televizive dhe as në zyrat e partive. Opozita është në shesh. Opozita janë qytetarët që kërkojnë rrëzimin e një sistemi që u ka grabitur pronën, dinjitetin, mundin dhe të ardhmen.
Ata që sulmojnë protestuesit nuk janë mbrojtës të opozitës. Janë përfitues të sistemit. Me servilizëm ndaj pushtetit janë pasuruar gjatë 36 viteve të tranzicionit, ndërsa sot përpiqen të manipulojnë opinionin publik me fotografi të shkëputura apo interpretime të pjesshme, njësoj si hajduti që kërkon të fshehë gjurmët duke akuzuar viktimën.
Manipuluesit e vërtetë të protestës nuk janë qytetarët. Manipulues janë ata që përpiqen ta devijojnë revoltën për ta kthyer edhe një herë në patericë të pushtetit. Pikërisht ata janë patericat e sistemit.
Po, mijëra shqiptarë kanë dalë në shesh kundër një sistemi që ka shkatërruar ekonominë, mirëqenien dhe besimin te shteti.
Por ky sistem nuk lindi dje.
Ai nisi me ligjin 7501 në vitin 1991. Vijoi me privatizimet e viteve ’90, me ligjet që ndryshuan raportin me pronën private, me legalizimet, me skemat e investimeve dhe me politika që, sipas shumë kritikëve, favorizuan një pakicë në dëm të shumicës.
Këto nuk janë episode të shkëputura. Janë hallka të të njëjtit zinxhir.
Prandaj është hipokrizi të flitet vetëm për pasojat dhe të heshtet për autorët.
Është e vërtetë që sistemi ka pasuruar një pakicë dhe ka varfëruar shumicën. Por themelet e tij nuk i hodhi vetëm njëra palë.
Ndryshuan sloganet. Ndryshuan qeveritë. Por modeli mbeti pothuajse i njëjtë.
Edhe kur flitet për kullat, pastrimin e parave, investitorët strategjikë, oligarkët, tenderët apo falimentimin e bujqësisë, shpesh thuhet vetëm gjysma e së vërtetës.
Sepse nuk mund të dënosh njërin krah dhe të amnistosh tjetrin.
Një familjeje shqiptare sot i duhen dekada pune për të blerë një apartament. Bujqësia është në krizë. Industria është dobësuar. Pasuritë publike, pyjet, kullotat, koncesionet dhe tenderët janë kthyer në objekt debatesh të vazhdueshme për mënyrën se si janë administruar.
Përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te qeveria e radhës. Ajo shtrihet mbi të gjithë ata që ndërtuan, ushqyen dhe mbrojtën këtë model politik dhe ekonomik.
Mos e përdorni protestën për të larë hesapet tuaja politike.
Mos e përdorni zemërimin e qytetarëve për të ricikluar autorët e së djeshmes si shpëtimtarët e së nesërmes.
Shqipëria nuk ka nevojë për ndërrim rojesh.
Ka nevojë për ndryshim të sistemit.
Ka nevojë për drejtësi që të mos njohë ngjyra politike.
Ka nevojë për përgjegjësi për të gjithë ata që kanë kontribuar në krizën e gjatë të tranzicionit.
Sepse protesta nuk ka lindur për të sjellë një kastë tjetër në pushtet.
Protesta ka lindur për t’i dhënë fund kastës.
Vetëm atëherë qytetarët nuk do të jenë më spektatorë të mashtrimit politik, por autorë të fatit të tyre. Vetëm atëherë Shqipëria do të mund të dalë nga rrethi vicioz i tranzicionit dhe demokracia nuk do të jetë më një dekor i pushtetit, por pushteti i qytetarëve.
