Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për 34-vjeçarin Darin Gëzdari, teksa ka ndryshuar masën për 41-vjeçaren Arlinda Marku, duke i caktuar “arrest në shtëpi”.
Ata akuzohen se kanë pastruar rreth 11 milion euro përmes kompanive fiktive, teksa gjatë seancës së sotme gjyqësore, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë.
Nga hetimi i ndjekur nga prokurori i Tiranës, Ndini Tavani është zbuluar se skema e pastrimit të parave është zhvilluar në dy vite, gjatë periudhës 2021 – 2022.
Darin Gëzdari dhe Arlinda Marku dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të krijuar kompani fiktive, nëpërmjet të cilave transferuan para me burime kriminale nga shtete që konsiderohen si “parajsa fiskale” si Qipro, Gjibraltari dhe Malta. Fillimisht paratë dërgoheshin në Shqipëri dhe më pas janë dërguar në 8 kompani në Kanada, ku bëhet fjalë për rreth 11 milion euro.
Kompania shqiptare nga ishin kryer transfertat, ushtronte aktivitet tregtar në zonën e Lezhës, ku objekti i saj i operimit ishte “Agjenci Publiciteti”.
