Ornitologu holandez Leo Schilperoord është identifikuar si “pacienti zero” në shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit të lidhur me anijen turistike MV Hondius, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
70-vjeçari besohet se u infektua gjatë një vizite në një vendgrumbullim mbetjesh pranë qytetit Ushuaia në Argjentinë, ku dyshohet se ra në kontakt me grimca të kontaminuara nga jashtëqitjet e brejtësve.
Autoritetet shëndetësore dyshojnë se ai u prek nga varianti i Andeve i hantavirusit, i vetmi lloj i njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu. Leo Schilperoord ishte viktima e parë në bordin e anijes MV Hondius.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeç, kishin kaluar muaj të tërë duke udhëtuar në Amerikën e Jugut për ekspedita vëzhgimi zogjsh. Çifti ishte i njohur në rrethet holandeze të ornitologjisë dhe kishte marrë pjesë në studime dhe udhëtime shkencore në vende të ndryshme të botës.
Sipas hetimeve paraprake, më 27 mars çifti kishte vizituar një zonë mbetjesh në Ushuaia, vend që konsiderohet habitat për disa specie të rralla zogjsh, por edhe zonë me rrezik të lartë për praninë e brejtësve bartës të virusit.
