Policia kallëzon në SPAK 16 deputetë të PD, arreston 4 persona dhe nis hetimet për 195 të tjerë, Berisha k*rcënon me…

Data

Rreth 16 deputetë të Partisë Demokratike janë në hetim për protestën e kësaj të marte në 6 kryqëzime kyçe dhe u referuan nga policia në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për pengimin e qarkullimit të lëvizjes së mjeteve për 3 orë me radhë. Në Tiranë lëvizja e makinave u paralizua, duke përdorur mjetet e deputetëve, njëri prej tyre Flamur Noka, në hetim, i cili me Range Rover-in e tij luksoz bllokoi rrugën pranë Kthesës së Kamzës. Mjeti i tij ra në sy, bashkë me deklaratat kërcënuese ndaj efektivëve të policisë që ishin aty për rendin dhe sigurinë e tubimit, i cili nga blutë u konsiderua i paligjshëm, për aq kohë sa pengoi qarkullimin. 2 makina që bllokuan qarkullimin në Tiranë u sekuestruan nga blutë. Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani, janë po ashtu më mesin e të hetuarve në kryeqytet.

Tomorr Alizoti, Edmond Spaho dhe Qani Xhafa po hetohen në Elbasan për bllokimin e rrethrrotullimit të Bradasheshit, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj dhe Tritan Shehu në Fier për trazirat te rrethrrotullimi i Levanit, Edi Paloka, Dashamir Sula dhe Bledjon Nallbati për bllokimin në Shkozet, ndërsa Luçiano Boçi Elda Hoti dhe Kastriot Piroli për bllokimin në Milot. 1 u arrestua në Tiranë dhe 3 protestues u vendosën në arrest në Elbasan, njëherazi edhe anëtarë të PD në degën lokale për organizim të protestës, pengim të qarkullimit dhe mosbindje ndaj policisë. Të tre paralizuan lëvizjen në autostradën Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas me makinat e tyre private. Në hetim në gjendje të lirë janë 195 të tjerë, pjesa më e madhe e tyre në Durrës, 92 në total, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan, 36 në Fier dhe 14 në Lezhë. Në hetim mësohet se ka edhe të tjerë në Durrës, përkatësisht për bllokimin e lëvizjes në mbikalimin e Shkozetit. Në Tiranë dhe Milot u dogjën goma, ndërsa protestuesit shtynë policinë, e cila tentoi në disa momente t’i shpërndajë. Në kërkim u shpallën 5 persona, 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

“Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve”, informoi dje policia. Të gjithë personat për të cilët ka nisur hetimi akuzohen për: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Reagon PD

Por arrestimet dhe vënia në hetim e protestuesve, mes të cilëve gati gjysma e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pas protestës së 29 tetorit për opozitën është provokim. Nga Fieri e Elbasani, deputetët demokratë Tomorr Alizoti dhe Luan Baçi hodhën akuza se shoqërimet e protestuesve janë presion që nuk i ndal demokratët për të vijuar mosbindjen civile

Pas këtyre qëndrimeve, kreu i PD Sali Berisha nga izolimi theksoi dje teksa ishte duke folru para gazetarëve online, se protesta nuk bllokoi rrugët por çliroi vendin për 3 orë. Ai paralajmëroi se mosbindja civile do të vijojë me zaptim institucionesh.

“Ju keni falënderimin e kombit shqiptar. Sepse po të lexosh raportin e fundit, të projektit botëror të drejtësisë, aty kuptohet se kombi shqiptar është në një pushtim të egër. Një pushtim i cili i ka shkatërruar drejtësinë. Një pushtim që e ka renditur Shqipërinë 10 shkallë më keq se Vietnami, në të cilin monizmin e është i sanksionuar në Kushtetutë. Një pushtim që ka zbrazur Shqipërinë me të paktën 38% vetëm në zonën e Shengenit të banorëve të saj, sipas raportit të fundit të Eurostat. Një pushtim që krerët e opozitës i rrëmben, i tërheq zvarrë në burg. Që denoncuesit e krimit i burgos nga frika dhe tmerri i narkodiktatorit prej tyre. Që denoncuesit e krimi i burgosur, dhe që bosët e krimit i lumturon duke i shpallur investitor strategjik. Prandaj miqtë e mi, 3 orët e djeshme që narkoshteti u paralizua, ishin në fakt 3 orë çlirimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ato 3 orë, mbrëmë hynë në historinë epike të përpjekjes së shqiptarëve për liri dhe demokraci dhe beteja nuk ndalet. Ne nuk ndalemi! Ne nuk tërhiqemi!

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related