Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë selinë blu për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga opozita para Kryeministrisë. Lëvizja e tij vjen pasi në bulevard janë grumbulluar më shumë mbështetës, në pritje të nisjes së tubimit.
Berisha u pa duke u larguar nga selia e PD-së mes brohorimave të militantëve, ndërsa u drejtua drejt sheshit ku po zhvillohet protesta. Organizatorët kishin shtyrë momentin e daljes së tij, duke pritur rritjen e pjesëmarrjes përpara nisjes zyrtare të fjalimeve.
Protesta është thirrur nga Partia Demokratike në kuadër të akuzave ndaj qeverisë dhe kërkesave për përgjegjësi politike, ndërsa pritet që Berisha të mbajë fjalën kryesore përpara mbështetësve të tij.
