Rama anulon vizitën në Vlorë, shmang protestën dhe lë në baltë raportuesin e BE-së

Data

Kryeministri Edi Rama ka anuluar në momentet e fundit vizitën e paralajmëruar në Vlorë, ku pritej të merrte pjesë në forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Universitetin “Ismail Qemali”. Aktiviteti u mbajt në praninë e raportuesit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ambasadorëve të BE-së dhe ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

Mungesa e Ramës u interpretua si një shmangie e qëllimshme, pasi sipas burimeve lokale, në qytet e priste një protestë e fortë e tregtarëve, të irrituar nga vendimi për zhvendosjen e tregut dhe nga politikat qeveritare që, sipas tyre, po dëmtojnë rëndë ekonominë lokale.

Tensionet shpërthyen në mungesë të kryeministrit, ku përballë tregtarëve doli ministrja Spiropali. Protestuesit shprehën pakënaqësinë për spostimin e tregut drejt Jallit të Nartës dhe zonës së Çoles, të cilat i konsiderojnë të papërshtatshme dhe të largëta nga qendra e qytetit. Ata kërkuan kohë për të shitur mallin dhe një zgjidhje që të mos i nxjerrë jashtë aktivitetit ekonomik që prej më shumë se 30 vitesh.

Sipas burimeve, Rama ka zgjedhur të mos udhëtojë drejt Vlorës për të shmangur përballjen direkte me qytetarët, duke pasur frikë përsëritjen e skenarëve të mëparshëm të protestave që kanë ndërprerë aktivitete publike. Vendimi i tij është parë si një sinjal negativ edhe ndaj ndërkombëtarëve, pasi raportuesi i BE-së, Andreas Schieder, ishte i pranishëm dhe mori titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Vlorës pa praninë e kryeministrit.

Ndërkohë, Këshilli Bashkiak ka vendosur që rreth 200 tregtarë të spostohen për 6 muaj në tregje provizore, pas miratimit të fondit prej 1.4 milionë eurosh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rikonstruksionin e zonës historike. Tregtarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related