Është caktuar trupa gjykuese që do të shqyrtojë një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare, atë ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
Pas shortit elektronik, gjyqtarja Etleva Deda është caktuar relatore e çështjes në GJKKO. Në trupën gjykuese do të bëjnë pjesë gjithashtu gjyqtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.
Dosja, e cila kaloi për gjykim më 18 mars pas rreth 7 muajsh seancë paraprake, përfshin disa hetime të rëndësishme, ndër to çështjen CEZ-DIA, lobimin në Shtetet e Bashkuara dhe hetimin pasuror.
Sipas akuzës, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi përballen me akuza për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Në këtë çështje janë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për dyshime në pastrim parash, si dhe Pirro Xhixho për korrupsion pasiv.
Sipas hetimeve, të pandehurit dyshohet se kanë shfrytëzuar funksionet publike për të favorizuar kompani private dhe për të përfituar shuma të mëdha parash, të cilat më pas janë fshehur përmes mosdeklarimit në institucionet përkatëse si ILDKPI dhe KQZ.
Ndërkohë, zhvillimet pritet të intensifikohen, pasi avokatët e Metës kanë paralajmëruar publikimin e një videoje që, sipas tyre, implikon një tjetër politikan në aferën CEZ-DIA, duke synuar të rrëzojnë akuzat ndaj klientit të tyre.
Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë dhe me interes të lartë publik, pasi prek figura të rëndësishme politike dhe çështje të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe transparencën në nivelet më të larta të shtetit.
