Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nuk ndalet pas tensioneve të fundit në Kryesinë e PD-së dhe ka njoftuar vijimin e takimeve me strukturat e partisë në rrethe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji bëri me dije se nesër në orën 18:00 do të zhvillojë një takim me demokratët e Elbasanit, duke e zhvendosur fokusin nga debatet e brendshme drejt bazës së partisë.
Ky takim vjen vetëm pak ditë pas përplasjeve të forta në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku Salianji pati debate të drejtpërdrejta me Flamur Nokën, kreun e PD-së Sali Berisha, si edhe me drejtuesin politik të qarkut Elbasan, deputetin Blendi Himçi.
Gjatë mbledhjes, Salianji u akuzua nga Noka se po ndërmerr një lëvizje të brendshme që, sipas tij, i shërben kryeministrit Edi Rama. Këto akuza u mohuan nga ish-deputeti, i cili theksoi se në Partinë Demokratike duhet të lejohet mendimi ndryshe dhe se nuk duhet të kriminalizohet debati i brendshëm.
“Sot mendova se duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Me këtë që po bëni, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi i demokratëve dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë”, është shprehur Salianji në Kryesi.
Ai theksoi se është i gatshëm të denoncojë çdo bashkëpunim me qeverinë dhe se nuk ka asnjë interes personal për përçarje në parti.
Në të njëjtën kohë, Salianji hodhi edhe një sfidë të hapur drejtuesve të PD-së, duke deklaruar se mobilizimi i demokratëve në terren duhet të jetë prioritet për të gjithë.
“Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet”, deklaroi ai.
Takimi i nesërm në Elbasan pritet të shihet si një test force politike dhe si një tregues i ndikimit që Salianji gëzon në bazën demokrate, në një moment kur PD po përballet me tensione të forta të brendshme dhe paralelisht po intensifikon protestat kundër qeverisë.
