Nuri: Vendim i paprecedentë për Ballukun, Kushtetuesja aplikoi dy standarde! Me Berishën u veprua ndryshe, çështja duhej mbyllur që në fillim

Data

Avokati Franc Nuri, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, ka kritikuar ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të bllokuar përkohësisht pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, masë e vendosur më herët nga GJKKO në kuadër të hetimeve të SPAK.

I ftuar në një emision televiziv, Nuri u shpreh se vendimi është i paprecedentë në praktikën juridike shqiptare dhe përbën një rast tipik të aplikimit të dy standardeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë rast i mëparshëm ku Kushtetuesja të ketë ndërhyrë në kohë rekord për të pezulluar një masë sigurie të vendosur nga një gjykatë tjetër, pa u konsumuar më parë të gjitha shkallët e ankimit.

“Ky është një kazus i thjeshtë juridikisht. Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar më parë raste të tilla. Ka pasur çështje të ngjashme që janë rrëzuar pa asnjë debat, ndërsa në këtë rast nuk ka as një arsyetim të plotë ligjor. Madje ekziston edhe shkalla e Apelit”, u shpreh Nuri.

Avokati theksoi se procedura nuk duhej të kishte kaluar fare në mbledhje të plotë të gjyqtarëve dhe se çështja duhej të ishte mbyllur që në fazën fillestare nga trupa prej tre gjyqtarësh, për mungesë kompetence.

“Normalisht, kjo kërkesë duhej të ishte rrëzuar që në fillim nga trupa treshe dhe të mos çohej më tej. Nuk kishte bazë ligjore që Gjykata Kushtetuese të ndërhynte në këtë mënyrë dhe aq më pak të vepronte në favor të Këshillit të Ministrave”, deklaroi ai.

Nuri solli si krahasim edhe rastin e Sali Berishës, ku – sipas tij – Gjykata Kushtetuese ka ndjekur një praktikë krejt të ndryshme.

“Në rastin e zotit Berisha, kërkesa u hodh poshtë me argumentin se duheshin ndjekur të gjitha hallkat e sistemit: Apeli, Gjykata e Lartë dhe më pas Kushtetuesja. Me Ballukun ndodhi e kundërta. Ky është shembulli më i qartë i dy standardeve”, theksoi avokati.

Në përfundim, Nuri e cilësoi vendimin si të dëmshëm për besimin publik në drejtësi, duke shtuar se ndërhyrje të tilla rrezikojnë të krijojnë precedentë të rrezikshëm për të ardhmen.

“Është për të ardhur keq që u mor një vendim i tillë. Ky rast do të mbetet si një nga shembujt më problematikë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related