Pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, janë ndërmarrë masa të menjëhershme në drejtimin e IEVP Durrës. Edmond Llabani është emëruar drejtor i ri i komanduar i këtij institucioni, pas shkarkimit të drejtuesit të mëparshëm, Indrit Cërloj.
Vendimi për shkarkimin e Cërlojt u firmos nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku Altin Ndoci u arratis gjatë shoqërimit për kontroll mjekësor në spitalin e Durrësit.
Pas incidentit, ministri Lamallari ka urdhëruar hartimin e një plani të ri sigurie, që parashikon rishikimin e nivelit të rrezikshmërisë për të paraburgosurit dhe të dënuarit në IEVP Durrës, si dhe transferimin e tyre në burgje të sigurisë së lartë, kur kjo vlerësohet e nevojshme.
Po ashtu, është kërkuar angazhim maksimal i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.
Që prej së mërkurës, i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës është pezulluar nga detyra. Verifikimet paraprake kanë nxjerrë në pah shkelje serioze proceduriale, ku institucioni nuk ka raportuar as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde të shoqërimit, çka ka ngritur dyshime të forta për neglizhencë apo përgjegjësi disiplinore dhe penale.
Ngjarja ka vënë në pikëpyetje serioze sigurinë në burgun e Durrësit, ndërsa hetimet për arratisjen e Altin Ndocit vijojnë.
