Pas 15 orësh radhë të gjata dhe kaos, rikthehet në normalitet aksi Elbasan–Librazhd–Prrenjas

Data

Pas një situate tejet problematike që zgjati për rreth 15 orë, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Prrenjas i është rikthyer normalitetit. Bllokimi nisi që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme dhe vijoi deri rreth orës 23:00, duke krijuar një kaos të paprecedentë në këtë segment rrugor.

Shkak kryesor i situatës u bënë ngricat e forta dhe reshjet e dëborës, të cilat paralizuan qarkullimin dhe lanë të bllokuara mijëra automjete me dhjetëra mijëra pasagjerë, të detyruar të qëndrojnë për orë të tëra në rrugë, në kushte të vështira atmosferike.

Segmentet më problematike rezultuan “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, zona të njohura për rrezikshmërinë gjatë dimrit. Në këto pika, mungesa e ndërhyrjes në kohë dhe masave parandaluese bëri që qarkullimi të paralizohej pothuajse tërësisht.

Automjetet u rreshtuan në kolona të gjata, të cilat në disa raste shtriheshin për dhjetëra kilometra, nga Fushë Labinoti në Elbasan deri te Ura e Bushtricës në bashkinë e Prrenjasit.

Sipas burimeve nga terreni, situata mund të ishte shmangur nëse firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve do të kishin ndërhyrë në kohë me hedhjen e kripës dhe pastrimin e akseve problematike. Vonesat në reagim dhe mungesa e gatishmërisë u kthyen në faktorët kryesorë që çuan në bllokimin masiv të qarkullimit.

Vetëm pas ndërhyrjeve të vonuara dhe përmirësimit gradual të kushteve atmosferike, qarkullimi nisi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite tepër të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi menaxhimin e situatave emergjente në akset kombëtare dhe ka sjellë thirrje për më shumë përgjegjësi, planifikim dhe reagim në kohë nga institucionet dhe subjektet përgjegjëse, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related