Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në një studio televizive, deklaroi se Shqipëria prej vitesh është shndërruar në një terren jomiqësor për investitorët seriozë nga SHBA dhe Europa, për shkak të korrupsionit, tenderëve të dyshimtë dhe depërtimit të parave me origjinë kriminale në ekonomi.
Sipas tij, afera si inceneratorët, dosja e AKSHI-t, kontrata e tunelit të Llogarasë dhe një sërë koncesionesh problematike kanë shkatërruar konkurrencën e ndershme dhe kanë larguar kapitalin e pastër nga vendi. Bushkolaj theksoi se Uashingtoni ka dhënë sinjale të qarta se durimi ka mbaruar.
Ai bëri të ditur se Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur një rishikim të thelluar të investimeve strategjike dhe koncesioneve në Shqipëri, shumë prej të cilave shihen si monopole të lidhura me politikën. Po ashtu, prania e DEA-s në Tiranë prej disa vitesh, sipas tij, tregon angazhimin serioz të SHBA-ve për të luftuar rrjetet e narkotrafikut dhe pastrimin e parave.
Në këtë kontekst, Bushkolaj paralajmëroi se SPAK pritet të kalojë në një fazë të re, nga sekuestrimet drejt arrestimeve, që mund të përfshijnë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të lidhur me krimin e organizuar. Koordinimi me agjencitë ndërkombëtare, sipas tij, tregon se hetimet po trajtohen si fenomen transnacional.
Gazetari u ndal edhe te nisma për “paqen fiskale”, e cila, sipas tij, shihet me skepticizëm nga partnerët ndërkombëtarë dhe rrezikon të kthehet në mekanizëm për pastrimin e parave.
“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq kritik. Veprimet e ardhshme të SPAK, të mbështetura nga partnerët strategjikë, mund të sjellin një tronditje të fortë politike dhe institucionale. Shumë zyrtarë mund të ‘digjen’ në Tiranë”, u shpreh Bushkolaj, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar tashmë është kthyer në prioritet ndërkombëtar.
