Partia Demokratike e Shqipërisë tkurret në rreth 50 mijë anëtarë, humbet një të tretën e bazës në pesë vite

Data

Partia Demokratike e Shqipërisë po përballet me një tkurrje të ndjeshme të bazës së saj elektorale dhe organizative, ndërsa shifrat e publikuara gjatë procesit të votimit për kreun e partisë tregojnë se aktualisht selia blu ka rreth 51 mijë anëtarë me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat e PD-së, partia ka humbur rreth një të tretën e anëtarësisë gjatë pesë viteve të fundit.

Në vitin 2013, pas kalimit në opozitë dhe gjatë drejtimit nga Lulzim Basha, PD ruante rreth 100 mijë anëtarë aktivë deri në vitin 2017.

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, numri i anëtarëve zbriti në rreth 75 mijë. Ndërsa sot, gjatë procesit ku Sali Berisha kandidon i vetëm për drejtimin e partisë, rezulton se numri i anëtarëve me të drejtë vote është reduktuar në rreth 51 mijë.

Kjo do të thotë se gjatë periudhës së rikthimit të Berishës në krye të partisë, PD ka humbur ose ka përjashtuar rreth 25 mijë anëtarë, duke regjistruar një tkurrje të konsiderueshme organizative.

Megjithatë, drejtuesit e PD-së pretendojnë se pjesëmarrja në votimin e sotëm ka qenë e lartë. Sipas deklaratës së Albana Vokshi, deri në orën 11:00 kishin votuar 11.906 anëtarë, ose rreth 23% e totalit të anëtarësisë.

Nga ana tjetër, Ervin Salianji i ka cilësuar këto shifra të manipuluara, duke pretenduar se pjesëmarrja reale nuk ka kaluar 1 mijë votues deri në mesditë. Ai ka paralajmëruar publikimin e provave për atë që e quan “farsë elektorale” brenda partisë.

Edhe aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka vijuar akuzat ndaj drejtimit të PD-së, duke pretenduar manipulime të proceseve të brendshme që prej vitit 2022 dhe duke paralajmëruar vazhdimin e betejës ligjore në gjykatë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related