Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Serbisë të ndërmarrë hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e cilësuar këtë proces si një kusht të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, institucioni europian thekson se Serbia duhet të dëshmojë angazhim të qartë ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Europian përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
“Serbia duhet të tregojë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Europian. Përparimi drejt anëtarësimit në BE është i mundur vetëm përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Parlamenti Europian vë në dukje gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Serbi, duke i konsideruar ato një element kyç për forcimin e demokracisë dhe tejkalimin e krizës politike në vend.
Sipas institucionit europian, garantimi i një procesi zgjedhor që respekton standardet demokratike është thelbësor për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Serbisë.
