Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Teramo të Italisë, pasi akuzohen se kishin shndërruar një parking në zonën Villa Zaccheo–Petriccione në një pikë të shpërndarjes së kokainës.
Operacioni u zhvillua pas raportimeve anonime për aktivitet të dyshimtë në zonë. Oficerët e Skuadrës Fluturuese të Policisë së Teramos ndërhynë në flagrancë, duke kapur dy të rinjtë, të moshës 23 dhe 34 vjeç, teksa po kryenin një pazar droge.
Sipas autoriteteve, dy shqiptarët u ndaluan në momentin e shkëmbimit, ku po shisnin pesë doza kokaine. Kontrolli i mëtejshëm i makinës së tyre çoi në gjetjen e dozave të tjera narkotike, ndërsa gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan materiale për paketimin e drogës.
Policia sekuestroi gjithashtu një shumë prej 1,450 eurosh cash, e dyshuar si e ardhur nga aktiviteti kriminal.
Dy të arrestuarit janë vendosur në arrest shtëpiak dhe pritet të dalin para gjykatës për seancën e vlefshmërisë së masës së sigurisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një gjykimi të përshpejtuar në rast pranimi faji.
