Pas vrasjes brutale të të dënuarit shqiptar Jani Aliaj dhe plagosjes së një tjetër bashkëvuajtësi dënimi, policia greke ka zhvilluar një operacion të gjerë kontrolli në burgun e sigurisë së lartë Koridhalos.
Operacioni u krye nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar, me pjesëmarrjen e njësive kundër narkotikëve, krimeve kundër jetës, inteligjencës policore, forcave speciale EKAM dhe një qeni policor. Gjatë aksionit u kontrolluan 10 qeli, 3 ambiente të Deposë Qendrore të Burgjeve dhe 31 të burgosur.
Sipas autoriteteve greke, gjatë kontrolleve u sekuestruan:
- 2 pako me kanabis të përpunuar (çokollatë) me peshë totale 2.75 gramë
- 4 telefona celularë
- karta SIM
- karikues dhe kabllo elektrike
Operacioni vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 19 janar 2026, kur Jani Aliaj, 49 vjeç, u vra brenda burgut me një thikë të improvizuar prej xhami. Autori dyshohet të jetë një shtetas grek 28-vjeçar, i cili ndodhej në të njëjtin sektor burgu dhe ka precedentë të rëndë penalë, përfshirë akuza për dy vrasje të tjera. Emri i tij kishte qenë për vite me radhë në listën e kuqe të Interpolit.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Aliaj u godit 23 herë me thikë, kryesisht në fytyrë dhe kraharor. Gjatë përplasjes u plagos edhe një tjetër i burgosur që tentoi të ndërhynte për të ndalur sulmin. Ngjarja ndodhi në një sektor pa kamera sigurie, në një moment kur burgu funksiononte me regjim të hapur lëvizjeje.
Kush ishte Jani Aliaj?
Jani Aliaj ishte me origjinë nga Tepelena dhe ndodhej i arrestuar në Greqi prej 31 dhjetorit 2024. Në Shqipëri ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016 në Tiranë. Ai akuzohej gjithashtu për përfshirje në një ngjarje të armatosur në Përmet në vitin 2015, gjatë një tentative për vjedhje të një sasie të madhe droge.
Hetimet për vrasjen e tij vijojnë nga autoritetet greke, ndërsa operacioni në burgun e Koridhalos synon goditjen e rrjeteve kriminale dhe parandalimin e incidenteve të tjera të rënda brenda sistemit penitenciar.
