SPAK zgjeron hetimet për Belinda Balluku: kontroll në banesën e Sokol Balla dhe dyshime për pastrim parash e transferta jashtë vendit

Data

SPAK ka intensifikuar hetimet në kuadër të çështjes që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke zgjeruar verifikimet edhe tek rrethi i saj familjar dhe shoqëror.

Në këtë kuadër, hetuesit kanë ushtruar kontroll në banesën e gazetarit Sokol Balla, ish-bashkëshort i Ballukut. Sipas burimeve, dyshimet lidhen me mundësinë që ai të ketë shërbyer si ndërmjetës në qarkullimin e fondeve të dyshimta, përfshirë transferta financiare jashtë vendit, kryesisht në Austri.

Më herët, Sokol Balla është paraqitur në ambientet e SPAK, ku ka dhënë shpjegime për disa lëvizje financiare. Pas daljes nga prokuroria, ai nuk ka bërë deklarata publike.

Sipas hetuesve, ekzistojnë dyshime se përmes lidhjeve familjare mund të jenë përfituar pasuri të paluajtshme dhe përfitime financiare. Për këtë arsye, janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente që pritet t’i nënshtrohen ekspertizës.

Hetimi nuk kufizohet vetëm në këtë rast. Në të njëjtën kohë, janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë, përfshirë biznesmenë të lidhur me tendera publikë, veçanërisht në projektet infrastrukturore si ato të Unazës së Madhe në Tiranë.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim dhe çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa të provohet e kundërta me vendim gjykate të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related