Pandeli Carapuli nën hetim për pastrim parash, SPAK i komunikon zyrtarisht akuzën në dosjen “Balluku”

Data

Biznesmeni Pandeli Carapuli është vendosur zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprën penale të pastrimit të parave, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Carapuli u paraqit këtë të premte në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa hetuesit i komunikuan statusin e personit nën hetim. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai rezulton të jetë një nga personat kyç në skemën e dyshuar për fshehjen e pronësisë së një vile luksoze në kompleksin rezidencial “White Rocks” në Dhërmi.

Sipas hetimeve paraprake, SPAK dyshon se vila është përfituar në mënyrë të parregullt nga Belinda Balluku si shpërblim për favorizimin e kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol, institucion që në atë kohë drejtohej nga Balluku.

Në njoftimin zyrtar, SPAK thekson se vila me numër F6 në resortin “White Rocks”, me sipërfaqe 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë rreth 300 metra katrorë, është vlerësuar si përfitim i parregullt në shumën 145 mijë euro.

Sipas prokurorisë, për të fshehur pronësinë reale të pasurisë janë përdorur veprime juridike të dyshuara si fiktive. Në këtë skemë përfshihen ish-futbollisti Igli Tare dhe ish-vartësja e Ballukut në Albcontrol, Joana Bushi.

Hetuesit pretendojnë se kontrata e porosisë e datës 5 dhjetor 2018, e lidhur mes Igli Tares dhe biznesmenit Pandeli Carapuli, pronar i shoqërisë “Eurocol”, ka shërbyer për të fshehur pronësinë e vërtetë të vilës.

Sipas SPAK, veprimet e dyshuara për pastrim parash kanë vijuar edhe më pas përmes kontratave të qirasë dhe dokumenteve të tjera të konsideruara fiktive, të cilat sipas hetuesve synonin të maskonin përdoruesin dhe përfituesin real të pasurisë.

Një ditë më parë, SPAK njoftoi se kishte komunikuar akuzën për pastrim parash edhe ndaj Igli Tares, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale.

Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se hetimet mbeten në fazë aktive dhe se të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related