Gjykata Kushtetuese nuk arriti të dalë me një vendim për kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për rivlerësimin e pagave, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim. Mungesa e një shumice prej të paktën pesë anëtarësh ka shtyrë vendimmarrjen, në një situatë që tregon ndarje brenda trupës gjykuese.
Çështja ka nxitur përplasje të fortë mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar publikisht kërkesën, duke e cilësuar debatit si të pajustifikuar në kushtet e pakënaqësisë publike për nivelin e pagave. Ai ka theksuar se reforma në drejtësi ka garantuar paga të larta për magjistratët pas kalimit të vetingut dhe se pavarësia e sistemit duhet të shoqërohet me përgjegjësi.
Nga ana tjetër, shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve argumentojnë se ndryshimet ligjore të vitit 2023 kanë sjellë ulje reale të pagave, për shkak të ndryshimit të formulës së referencës. Sipas tyre, paga bazë u lidh me 36% të pagës së Presidentit, ndërkohë që më parë referenca ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri, e cila u rrit ndjeshëm pas reformës së administratës publike.
Ankimuesit kërkojnë rikthimin e formulës së mëparshme ose rishikim të përqindjes në raport me pagën e Presidentit, duke pretenduar se ndryshimet kanë cenuar garancitë kushtetuese për statusin financiar të magjistratëve.
Vendimi i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me rritje të mundshme që sipas përllogaritjeve mund të variojnë nga rreth 1,800 euro për shkallën e parë deri mbi 3,000 euro për nivelet më të larta si Apeli i GJKKO dhe SPAK.
