Pacolli kërkon hetim nga SPAK për Aeroportin e Vlorës: Të zbardhen përgjegjësitë për bllokimin e projektit strategjik

Data

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të hetojë përgjegjësit për bllokimin e projektit të Aeroportit të Vlorës, duke argumentuar se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ka evidentuar shkelje të rënda që, sipas tij, kanë dëmtuar një investim strategjik dhe klimën e sigurisë juridike në Shqipëri.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Pacolli u shpreh se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përfaqëson vetëm korrigjimin e vendimeve të mëparshme gjyqësore, por nxjerr në pah faktin se administrimi i shoqërisë koncesionare u pengua për muaj të tërë nga masa sigurimi që, sipas tij, u shpallën më pas të paligjshme.

Sipas Pacollit, situata solli pasoja ekonomike, pengoi zbatimin e kontratës koncesionare dhe dëmtoi besimin e investitorëve tek sistemi ligjor shqiptar.

Ai pretendon gjithashtu se Gjykata e Lartë rrëzoi edhe pretendimet që lidhen me çështjen e njohur si “Delphos”, duke i cilësuar ato të pabazuara në ligj. Sipas tij, kjo rrëzon argumentet mbi të cilat u mbështetën kundërshtimet ndaj kompanisë MABCO.

Biznesmeni i drejton gjithashtu kritika Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke pretenduar se institucioni kishte detyrimin ligjor të mbronte kontratën koncesionare dhe interesin publik.

“Nëse Gjykata e Lartë konstaton se masat ishin të paligjshme dhe se ministria kishte detyrimin të ndërhynte, atëherë duhet të hetohen përgjegjësitë individuale dhe institucionale për veprimet dhe mosveprimet që sollën këtë situatë”, shprehet Pacolli.

Ai i bën thirrje SPAK-ut të vijojë hetimet për të identifikuar, sipas tij, të gjithë personat që kanë orkestruar, urdhëruar ose zbatuar veprime që kanë dëmtuar projektin, duke shtuar se familja e tij është përballur me kërcënime publike dhe cenim të të drejtave kushtetuese.

Në fund të reagimit, Pacolli pretendon se edhe aktualisht hyrjet në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijojnë të mbahen të bllokuara nga grupe personash, pavarësisht pranisë së Policisë së Shtetit, dhe kërkon rivendosjen e menjëhershme të ligjshmërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related