Dosja e SPAK: Detaje të reja mbi hetimin ndaj Ballukut, nga tenderi i Albcontrol te vila e sekuestruar në Dhërm

Data

Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) zbardh detaje të reja mbi hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke përfshirë provat që, sipas organit të akuzës, lidhen me përdorimin e një vile në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi dhe procedurat e një tenderi për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol.

Sipas dosjes, SPAK pretendon se vila, e regjistruar zyrtarisht në emër të ish-futbollistit Igli Tare, përdorej në mënyrë të vazhdueshme nga Balluku dhe familjarët e saj. Hetuesit kanë administruar prova të ndryshme, mes tyre komunikime elektronike, sende personale të gjetura gjatë kontrollit të banesës, si edhe një llogari Netflix të regjistruar me adresën elektronike të ish-ministres.

Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet edhe me analizën e të dhënave të telefonisë celulare. Sipas SPAK, antenat e operatorit celular kanë lokalizuar telefonin e Ballukut në zonën e kompleksit “White Rocks” në periudha të ndryshme gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026. Të njëjtat verifikime janë kryer edhe për numrat telefonikë të familjarëve të saj.

Në dosje përfshihet edhe procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, e zhvilluar në vitin 2014. Sipas hetuesve, kompania “Eurocol” ka pasur informacion mbi kriteret dhe preventivin e projektit përpara zyrtarizimit të procedurës së prokurimit.

Në garë morën pjesë katër operatorë ekonomikë, por tre prej tyre u skualifikuan për mosplotësim të kritereve, ndërsa fituese u shpall kompania “Eurocol”, me ofertën prej 72.39 milionë lekësh pa TVSH. Më pas, kontrata u ndryshua me punime shtesë dhe shtyrje të afateve, duke e çuar vlerën përfundimtare në rreth 101.9 milionë lekë me TVSH.

Sipas SPAK-ut, Balluku dhe disa vartës të saj kanë favorizuar kompaninë “Eurocol” gjatë procedurës së prokurimit. Organi i akuzës pretendon se, në këmbim të këtij favorizimi, administratori i kompanisë, Pandeli Carapuli, i ka siguruar Ballukut një vilë në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, me vlerë rreth 145 mijë euro.

Vila është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më 4 qershor, ndërsa hetimet e SPAK për çështjen vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related