Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot në seancë të hapur gjyqësore çështjen e tragjedisë së 21 janarit 2011. Mësohet se në seancë do të thirren palët përballë njëri-tjetrit. Vendimi pritet të merret në orën 13.10 në dhomë Këshillimi në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues të përbërë prej Ilir Panda Kryesues, Sokol Binaj relator dhe Sandër Simoni anëtar. Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij. Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit. Veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën. Se kush do ta hetojë 21 Janarin, SPAK apo Prokuroria e Tiranës, kjo do të kuptohet pasi gjykata të dëgjojë palët në seancë. Një gjë është e sigurtë, orët e tensionit për Sali Berishën kanë filluar, pasi duhet theksuar se Sali Berisha, ndonëse i identifikuar si frymëzuesi, orkestruesi dhe organizuesi i ngjarjeve, është lënë jashtë hetimeve për “21 Janarin”. Nëse SPAK e merr në dorë, ai nuk do të mbetet jashtë hetimeve pasi dje u konfirmua nga gruaja e Aleks Nikës se kanë prova që mund të fundosin zinxhirin komandues, përfshirë këtu telashet që mund të hapen për ish-kryeministrin Berisha.
Prova kyçe
Sipas tyre, vetëm SPAK mund të bëjë drejtësi për 21 janarin. Rajmond Nika, kërkoi nga trupa gjykuese pranimin e rekursit të saj dhe rrëzimin e vendimeve të GJKKO. “Ne si familje e Aleks Nikës disponojmë një mikrokasetë, ku janë të regjistruara të gjithë komunikimet me zë, të komandantit të gardës Ndrea Prendi me personelin drejtues të Gardës së Republikës, me datën 21 Janar 2011. Një pjesë e vogël e regjistrimit, ku pasqyrohen urdhrat e dhëna nga Komandanti i Gardës Ndrea Prendi, janë bërë të njohura për publikun,” tha ajo. Rajmonda Nika thotë mes të tjerave se hetimi i kësaj çështje, duhet t’i nënshtrohet i gjithë zinxhiri komandues, për të cilin shprehet Gjykata e Strasburgut. Duhet të pyeten nga SPAK-u, të gjithë personat që për shkak të detyrës, kanë qenë të pranishëm në Godinën e Kryeministrisë, në momentin që ka ndodhur ngjarja, si dhe ata që për shkak të detyrës, kanë marrë informacione nga organet ligjzbatuese, si ish Kryeministri në detyrë Sali Berisha, ministri i brendshëm Lulëzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë Saimir Muça. Po ashtu ish Presidenti Bamir Topi, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, Kryetari i Shërbimit Informativ Bahri Shaqiri e tjerë. Duhet t’i nënshtrohen hetimeve të gjithë prononcimet, që këta persona kanë bërë përpara medias pas ngjarjes në lidhje me vrasjet e 21 Janarit 2011, dhe nga cilat burime zyrtare i kanë marrë të dhënat që i kanë paraqitur si fakte apo prova. Familja Nika thotë se nuk mund të heshtet ndaj urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve, pjesëtar të zinxhirit komandues, të pranishëm në Godinën e Kryeministrisë. “Nga komandanti i Gardës Ndrea Prendi i jepen urdhra edhe personave të tjerë oficerë me emër, të grupit të njësisë speciale, që për të ruajtur sekretin nuk i bëjnë publike. Përmenden edhe pseudonime dhe numërtime, të këtij zinxhiri komandues oficerë të gardës, marrin urdhra nga Komandanti i Gardës Ndrea Prendi edhe pasi janë realizuar vrasjet e katër dëshmorëve të Atdheut jashtë gardhit rrethues të Kryeministrisë, brenda disa sekondave. Njëri nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, që ishte në të njëjtat valë të radios, me Ndrea Prendin, përmend edhe ministrin e punëve të brendshme, që kërkonte menjëherë pas vrasjeve një person të zinxhirit komandues të Gardës.
Pra janë shumë persona të zinxhirit komandues që ishin në valët e radios të Ndrea Prendit që kanë dëgjuar të gjitha komunikimet midis Ndrea Prendit dhe atyre që kanë qëlluar të cilët ne do ti kërkojmë SPAK që ti ripyes. Ka edhe prova shkresore, që konfirmojnë dhënien e urdhërave, por në mënyrë të cunguar, që dihet kush janë konkretisht dhe duhet të pyeten. Duke përfunduar, shpresojmë që gjykata të pranojë kërkesën tonë për dërgimin e çështjes për kompetencë në SPAK që është i vetmi institucion që ne kemi besim se do të realizoj hetime objektive dhe të gjithanshme, që kërkon edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, citohet në letrën e Rajmonda Nikës.
