“Pa vulë, pa logo e pa seli, por jo pa demokratë”, Kuçana zbulon strategjinë e re të Berishës

Data

Analistja dhe anëtarja e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka komentuar mesazhet e dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, duke theksuar se fokusi kryesor i partisë në muajt e ardhshëm do të jetë ripërtëritja organizative dhe rikthimi i strukturave pranë qytetarëve.

E ftuar në një studio televizive, Kuçana tha se Partia Demokratike ka kaluar një periudhë të vështirë, të shoqëruar me beteja politike dhe ligjore për vulën, logon dhe selinë, por pavarësisht këtyre sfidave ka ruajtur mbështetjen e demokratëve.

“Partisë Demokratike iu desh të bënte betejën nëpër gjykata, pa logo, pa vulë dhe pa seli. Ishin vite të vështira, por demokratët qëndruan pranë partisë dhe kjo meriton vlerësim”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar fjalës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Kuçana theksoi se strategjia e re do të bazohet te rikthimi i partisë në bazë, përmes forcimit të seksioneve dhe grupseksioneve në të gjithë vendin.

Sipas saj, koha e politikanëve që qëndrojnë të shkëputur nga qytetarët ka përfunduar dhe tashmë përfaqësuesit politikë duhet të jenë të pranishëm në terren, pranë njerëzve dhe shqetësimeve të tyre të përditshme.

“Mesazhi ishte i qartë: rikthim te seksioni dhe te grupseksioni. Një politikan duhet ta lidhë jetën e tij politike me qytetarin. Ka ikur koha e politikës nga zyrat. Duhet të jemi pranë njerëzve, pranë demokratëve, por edhe pranë socialistëve të zhgënjyer”, deklaroi Kuçana.

Ajo shtoi se objektivi i Partisë Demokratike është ndërtimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët, pa dallime politike, duke dëgjuar nga afër problemet dhe pritshmëritë e tyre.

Sipas Kuçanës, modeli që synon të ndjekë PD në periudhën e ardhshme është ai i kontaktit të vazhdueshëm me bazën, ku strukturat lokale do të kenë rol më aktiv në organizimin e partisë dhe në ndërtimin e alternativës politike për zgjedhjet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related