Forcat ushtarake amerikane kanë ndaluar një tjetër anije tregtare që po tentonte të afrohej drejt një porti iranian, në kuadër të masave të sigurisë dhe kontrollit detar të vendosura nga SHBA në rajon.
Sipas një zyrtari amerikan të njohur me operacionin, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë Associated Press, anija transportuese “Lian Star”, me flamur të Gambias, kishte injoruar disa paralajmërime të përsëritura nga forcat amerikane gjatë natës ndërsa lundronte drejt brigjeve iraniane.
Burimi bëri të ditur se ndërhyrja u realizua nga avionë ushtarakë amerikanë që operonin në zonën e Gjirit të Omanit, të cilët bllokuan lëvizjen e anijes pa qenë e nevojshme hipja e forcave amerikane në bord.
Pas operacionit, anija “Lian Star” ka mbetur e immobilizuar në rajon, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë monitorimin e situatës. Sipas zyrtarit, nuk ka pasur përplasje apo incidente të tjera gjatë ndërhyrjes.
Me këtë rast, numri i anijeve të ndaluara nga forcat amerikane për përpjekje të dyshuara për të shkelur bllokadën ndaj Iranit ka shkuar në gjashtë. Zyrtari amerikan shtoi se vetëm një prej tyre është lejuar më pas të vazhdojë itinerarin e planifikuar.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku SHBA dhe Irani vijojnë përplasjet diplomatike dhe ushtarake lidhur me sigurinë detare, programin bërthamor iranian dhe aktivitetet tregtare në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
