Deputeti demokrat Klevis Balliu ka akuzuar qeverinë se ka miratuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë konsultim publik planin për ngritjen e 20 qendrave të reja për emigrantët në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Sipas tij, vendimi është marrë pa transparencë dhe pa garanci sigurie për komunitetet që do të preken.
Balliu thekson se vendi po përballet me një gjendje të rënduar të rendit publik, ndërsa Policia – sipas tij – nuk është në gjendje të garantojë sigurinë elementare në qytete. Në këtë situatë, ngritja e qendrave me kapacitete të mëdha, ku do të sistemohen persona që vijnë nga zona konfliktesh, përbën rrezik shtesë për banorët lokalë.
“Qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve pa transparencë dhe pa garanci sigurie. Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare”, shkruan Balliu.
Në cilësinë e zv/kryetarit të Komisionit të Sigurisë, ai i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme për të marrë informacion të detajuar mbi:
- masat e sigurisë në këto qendra,
- kapacitetet e policisë për t’i menaxhuar,
- arsyetimin e vendimit,
- dhe koston totale të projektit.
Balliu e cilëson hapjen e qendrave “papërgjegjshmëri të rëndë”, duke theksuar se vendi nuk duhet të kthehet në “korridor të pakontrolluar migrator”.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse qeveria merr vendime të tilla në mënyrë të fshehtë. Siguria kombëtare duhet të jetë prioritet absolut”, përfundon ai.
