Rama në promovimin e librit të Hill: “Po të shkruaja për ambasadorët amerikanë, libri do quhej ‘Fantazma dhe Prima Donna’. Hill është fantazma…”

Data

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të librit të ambasadorit amerikan Christopher Hill, ku mbajti një fjalë të gjatë dhe të pazakontë mbi rolin e diplomatëve amerikanë në Ballkan. Rama e cilësoi Hill-in si një nga figurat më të veçanta dhe më të rëndësishme në historinë e diplomacisë amerikane në rajon.

Ai tha se, nëse do t’i duhej të shkruante një libër për ambasadorët amerikanë në Ballkan, titulli do të ishte “Fantazma dhe Prima Donna”, duke përshkruar Hill-in si “fantazmën”, ndërsa diplomatët e tjerë si “prima donna”.

“Kohë pas kohe, prima donnat zbehen, ndërsa fantazma jo”, tha Rama, duke nënvizuar se emri i Hill-it vazhdon të rikthehet në diskutimet publike dhe shpesh shoqërohet me teori konspirative.

Rama rrëfeu se për herë të parë kishte dëgjuar për Christopher Hill në mënyrë të çuditshme:

“Më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg. Ishte mbresëlënëse të dëgjoje se sapo kishte ardhur në Shqipëri dhe pa qenë i përfshirë në asnjë reformë, paska futur dikë në burg dhe ishte larguar.”

Kryeministri e përshkroi Hill si një diplomat që nuk tentoi të bëhej protagonist, por që ka pasur ndikim përmes “pëshpëritjes së urtë”.

Sipas Ramës, Hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që e ka “kuptuar Ballkanin nga brenda”, sepse e ka jetuar atë në çdo dimension – politik, social e kulturor.

“Kur e takova për herë të parë, nuk më dukej si ‘burgosës i opozitës’. Më la mbresë mënyra se si dëgjonte. Ka qenë gjithnjë i pranishëm, por kurrë ndikues agresiv”, theksoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related