Partia Demokratike do të mbledhë nesër në Pallatin e Kongreseve Kuvendin Kombëtar, forumin më të lartë drejtues të saj, nën sloganin “Ripërtëritje”, duke synuar një fazë të re organizimi dhe modernizimi të forcës më të madhe opozitare në vend.
Anëtari i Këshillit Bashkiak, Nikola Kedhi, deklaroi se Kuvendi i nesërm pritet të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për demokratët, me hapësira më të mëdha për figura të reja dhe përfaqësim më të gjerë të diasporës.
Sipas tij, në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar pritet të ketë një numër të konsiderueshëm emrash të rinj, ndërsa vendimin përfundimtar do ta japë vota e delegatëve.
“Pas një periudhe të vështirë për partinë, tashmë është koha për ripërtëritje dhe krijimin e një ekipi të ri. Ka shumë figura të reja që janë afruar me Partinë Demokratike dhe logjika ta do që edhe Këshilli Kombëtar të reflektojë këtë ndryshim”, u shpreh Kedhi.
Një nga risitë kryesore që do të prezantohen në Kuvend lidhet me diasporën shqiptare. Sipas Kedhit, statuti i ri do të parashikojë rritjen e përfaqësimit të emigrantëve në forumet drejtuese të partisë, si dhe në listat e ardhshme për deputetë.
“Do të ketë një përfshirje më të madhe të diasporës në jetën politike të Partisë Demokratike. Po krijohen struktura të posaçme dhe mekanizma të rinj që do t’i japin diasporës rol më aktiv në vendimmarrje”, tha ai.
Po ashtu, Kuvendi pritet të prezantojë edhe një platformë për modernizimin dhe digjitalizimin e partisë, e hartuar nga grupe pune të PD-së në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë.
Sa i përket aksionit opozitar, Kedhi theksoi se protestat do të vijojnë edhe pas Kuvendit Kombëtar, duke argumentuar se problemet ekonomike, korrupsioni dhe vështirësitë sociale mbeten arsye të forta për reagim qytetar.
“Nesër nis një fazë e re për Partinë Demokratike, por beteja opozitare do të vazhdojë. Protestat mbeten pjesë e aksionit tonë politik”, deklaroi ai.
