Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka reaguar sërish ashpër kundër planeve të Bashkimit Evropian për mbështetjen financiare të Ukrainës. Sipas tij, kërkesa për rreth 800 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të rëndojë drejtpërdrejt mbi qytetarët evropianë.
Orbán deklaroi se kjo barrë financiare, në rastin e Hungarisë, do të sillte heqjen e pensioneve shtesë, uljen e përfitimeve familjare dhe vendosjen e taksave më të larta për qytetarët. Ai theksoi se këto fonde, nëse do të mbeteshin në Hungari, do të mjaftonin për të mbuluar pensionet dhe ndihmat sociale për dekada me radhë.
Sipas tij, planet që po vijnë nga Brukseli janë të papranueshme dhe dëmtojnë interesat kombëtare. Orbán u shpreh se qeveria hungareze nuk do t’i pranojë këto masa dhe se qytetarët duhet të informohen plotësisht për pasojat e tyre.
Ai shtoi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, hungarezët do të duhet të zgjedhin mes asaj që ai e quan “rruga e Brukselit” dhe “rruga e paqes”.
