Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Lezhës mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:00, në lagjen Besëlidhja. Ngjarja ka ndodhur brenda një byrektoreje, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një bombol gazi. Si pasojë, janë dëmtuar jo vetëm ambientet e lokalit, por edhe dy biznese pranë tij, si dhe tre automjete të parkuara në afërsi. Gjithashtu, janë thyer xhamat e disa banesave përreth.
Zhurma e fortë ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët kanë dalë të frikësuar nga shtëpitë e tyre. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Në një njoftim zyrtar, Policia bëri me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit, nën drejtimin e Prokurorisë.
