Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se municionet e para të fabrikës së armatimeve që do të ndërtohet në Gjakovë, do të prodhohen në fund të vitit 2026. Qeveria në detyrë e Kosovës i dha OK-in kërkesës për shpronësimin e ish-kombinatit bujqësor Ereniku, dhe ndërtimin e zonës industriale në Jahoc, ku do të jetë dhe fabrika në fjalë. “Në këtë mënyrë, i hapim rrugën ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së këtij lloji në Kosovë e cila do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta shtojë sigurinë tonë dhe do t’i rrisë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, shprehet Albin Kurti. Nëntorin e vitit të kaluar, Qeveria kishte njoftuar për nisjen e procesit për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, të njohura si dronë.
Dhjetorin e po atij viti, Prishtina zyrtare firmosi nënshkroi marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë Makine ve Kimya Endüstrisi, për ndërtimin e fabrikës. “Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga do të dalin në fundin e vitit që po vjen. Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova”, tha Kurti. Kryeministri në detyrë i Kosovës pohoi më tej se gjatë mandatit katërvjeçar, Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me armatime modern, dhe theksoi se gjatë kësaj periudhe, mbi 430 milionë euro janë shpenzuar për këtë qëllim kanë shkuar për blerje të armatimit për FSK-në.
