Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri vijon të jetë në një fazë transformimi, ndërsa theksoi se rikuperimi i besimit të publikut është një proces që kërkon kohë.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Çela u ndal te ndikimi i teknologjisë dhe dixhitalizimit në mënyrën e funksionimit dhe komunikimit të institucioneve të drejtësisë.
Sipas tij, transformimi dixhital ka ndryshuar ndjeshëm modelin tradicional të komunikimit institucional, duke e bërë të domosdoshëm modernizimin e strategjive të informimit të publikut.
“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Perceptimi publik arriti nivele rekord në 10–15 vitet e fundit dhe rikuperimi i besimit kërkon kohë të konsiderueshme,” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.
Çela shtoi se përmirësimi i komunikimit me qytetarët është kthyer në një prioritet institucional, duke bërë të ditur se është ngritur një mekanizëm koordinimi vertikal me synim rritjen e cilësisë së njoftimeve dhe transparencës së institucioneve të prokurorisë.
