Një gazetë belge i ka kushtuar një analizë protestave që prej një muaji zhvillohen në Shqipëri, duke argumentuar se lëvizja qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove” po sfidon seriozisht qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Sipas artikullit, protesta nisi si reagim ndaj projektit të planifikuar turistik në zonën e mbrojtur të Sazanit dhe Vjosa-Nartës, projekt i lidhur me kompaninë e Jared Kushner dhe Ivanka Trump, por me kalimin e javëve është shndërruar në një kundërshtim më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes.
Gazeta shkruan se çdo mbrëmje mijëra qytetarë marshojnë në Tiranë me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa flamingoja rozë është kthyer në simbolin e protestës për mbrojtjen e zonës së Vjosa-Nartës.
Artikulli vëren se protestuesit e paraqesin kryeministrin si simbol të një sistemi që, sipas tyre, karakterizohet nga klientelizmi, korrupsioni dhe mungesa e transparencës. Në këtë kontekst, media belge përshkruan edhe pakënaqësinë e një pjese të të rinjve, të cilët lidhin emigrimin dhe vështirësitë ekonomike me modelin aktual të qeverisjes.
Në analizë përmenden gjithashtu hetimet e SPAK-ut mbi disa projekte të pasurive të paluajtshme dhe fakti se disa ish-zyrtarë apo zyrtarë të lartë janë vënë nën hetim, ndërsa theksohet se kryeministri Rama i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Sipas gazetës, protesta ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ka vënë në pikëpyetje narrativën e Shqipërisë si një vend modern dhe tërheqës për investime, duke e paraqitur lëvizjen qytetare si një kërkesë për më shumë transparencë, demokraci dhe llogaridhënie.
Artikulli përfundon se, sipas vlerësimit të autorit, lëvizja e protestës përfaqëson një sfidë politike për qeverinë dhe se zhvillimet e ardhshme do të jenë përcaktuese për klimën politike në Shqipëri.
