Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar zhvillimet e fundit politike duke publikuar në rrjetet sociale një video të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, teksa këndon këngën e njohur “Bella Ciao” gjatë një feste.
Në reagimin e tij, Berisha e lidh simbolikisht videon me situatën e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën presionin e drejtësisë, pasi SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj, duke i hapur rrugë mundësisë së arrestit.
“O Bela ciao, Bela ciao”, shkruan Berisha me ironi, duke lënë të kuptohet se videoja e publikuar nuk është rastësore dhe se lidhet me zhvillimet e forta brenda mazhorancës.
Sipas tij, këndimi i Ballës në këtë moment politik ngre pikëpyetje mbi mesazhin që po përcillet, ndërsa arresti i Ballukut mbetet “në fije të perit”.
Kujtojmë se SPAK i ka dërguar sot Kuvendit shkresën zyrtare për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ndërsa Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën.
Pas kësaj, çështja do t’i kalojë seancës plenare, ku do të vendoset nëse Balluku do t’i dorëzohet drejtësisë apo do të mbetet e mbrojtur nga mazhoranca, duke vijuar detyrën në qeveri.
