Nuk ndalet rritja e çmimit të qirave në Tiranë, ja sa duhet të paguani në një muaj

Data

Rritja e çmimeve të qirave në Tiranë po vijon me ritme të shpejta, duke u shndërruar në barrën kryesore për familjet dhe të rinjtë që kërkojnë strehim. Sipas të dhënave zyrtare për muajin nëntor 2025, qiratë shënuan rritjen më të lartë të çmimeve, me 6.7%, duke u kthyer në faktorin kryesor të inflacionit dhe duke lënë pas edhe ushqimet.

Ekspertët e tregut e lidhin këtë tendencë me kombinimin e disa faktorëve. Së pari, rritja e fortë e çmimeve të banesave e ka bërë blerjen e një apartamenti pothuajse të pamundur për shumicën e të punësuarve. Si pasojë, gjithnjë e më shumë qytetarë janë të detyruar të qëndrojnë me qira për periudha më të gjata, duke rritur kërkesën dhe, rrjedhimisht, çmimet.

Një tjetër faktor është zhvendosja e shumë apartamenteve drejt qirave afatshkurtra për turistët. Tirana po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, dhe pronarët preferojnë qiranë ditore, e cila sjell fitime më të larta krahasuar me qiratë afatgjata. Kjo ka reduktuar ofertën për banesa rezidenciale dhe ka ushtruar presion shtesë mbi çmimet.

Sa kushton qiraja në Tiranë?

Të dhënat nga agjencitë imobiliare tregojnë se çmimet kanë arritur nivele rekord:

•Zona “Air Albania”:

•Apartament 2+1: rreth 1,800 euro/muaj, rritje me 13% krahasuar me një vit më parë.

•Ish-Blloku:

•Apartament 1+1: rreth 650 euro/muaj (+16%).

•Apartament 2+1: rreth 900 euro/muaj (+6%).

•Rruga e Elbasanit:

•Apartament 1+1: rreth 700 euro/muaj (+8%).

•Komuna e Parisit:

•Apartament 1+1: rreth 650 euro/muaj (nivele të ngjashme me 2024).

•Apartament 2+1: rreth 800 euro/muaj (+14%).

•Zona e Liqenit Artificial:

•Apartament 1+1: deri në 900 euro/muaj (+13%).

•Apartament 2+1: rreth 1,400 euro/muaj (+17%).

Në periferi, si Astiri apo Fresku, apartamentet me qira 300–350 euro janë gjithnjë e më të rralla dhe merren menjëherë sapo dalin në treg.

Çfarë pritet më tej?

Aktorët e tregut paralajmërojnë se çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen edhe gjatë vitit 2026, për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së ofertës së përballueshme. Pa politika konkrete për ndërtimin e banesave sociale apo për kontrollin e tregut të qirave afatshkurtra, barra financiare mbi qiramarrësit pritet të rëndohet edhe më tej.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related