Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në rreth-rrotullimin e Kolonjës, ku një automjet tip “Audi” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë në anë të saj.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti drejtohej nga një grua, ndërsa rrethanat dhe shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit mbeten ende të paqarta.
Në automjet udhëtonin tre persona, të cilët pas aksidentit janë transportuar në Spitalin e Lushnjës për kontrolle mjekësore. Fatmirësisht, mësohet se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes.
