Pas lirimit nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Posaçme, Jamarbër Malltezi rrëfeu në një studio televiziv 20 muajt e arrestit shtëpiak, ndërsa akuzoi SPAK-un për hetime të motivuara politikisht. Në Debatin me Alba Alishanin ai e quajti arrogancë shtetërore privimin e lirisë, ndërsa një nga vendimet ku nuk i lejohej komunikimi me askënd e cilësoi çmenduri, teksa renditi dhe arsyet e lirimit të tij nga masa e arrestit shtëpiak.
“E para mbaruan zgjedhjet, e dyta ka 3 çështje në emrin tim në Strasburg dhe avokatura ka shkuar në arkivin e gjykatës se një nga vendimet është i çmendur, moskomunikimi me askënd përveç atyre në banesë dhe as me avokatët. E treta se po shkonte dy vite dhe afati kushtetues nuk mund të jetë më tepër se dy vite. Qeverisja e kishte problem komunikimin tim me persona të tretë. Privimi i lirisë është arrogancë shtetërore, problemi kryesor lidhet me komunikimin e përditshëm dhe nevojat e fëmijëve që nuk i përgjigjesh dot”.
Duke theksuar se në dosjen Partizani ka pasur shumë absurditet, Malltezi tha se një prej tyre ka qenë edhe moskomunikimi me avokatët, për të cilën në të gjitha gjykatat ku kanë shkuar për ta ankimuar u është refuzuar.
