Nuk kanë fund telashet për PS, Rrogozhina shkon në zgjedhje të parakohshme pas dënimit të kryebashkiakut Edison Memolla

Data

Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun socialist Edison Memolla. Vendimi është i formës së prerë dhe e shpall atë fajtor për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Pas vendimit, Policia e Shtetit u urdhërua të ekzekutojë masën e dënimit, ndërsa Memolla u vetëdorëzua në mbrëmje në Policinë e Kavajës. Me humbjen e mandatit të kryebashkiakut, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë vakancën dhe më pas Presidenti i Republikës të dekretojë datën për zgjedhjet e parakohshme në Rrogozhinë.

Gjykata la në fuqi edhe masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare. Trupa gjykuese nuk pranoi as kërkesën për pafajësi dhe as dënimin alternativ, duke vulosur përfundimisht fatin politik të Memollës.

Sipas hetimeve të SPAK, çështja lidhet me zgjedhjet e pjesshme lokale të marsit 2022, kur Memolla dyshohet se ka ndërhyrë te një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim sigurimin e votës në favor të tij. Po ashtu, sipas dosjes hetimore, janë përmendur edhe premtime për punësime dhe favore të tjera në këmbim të votave.

Në të njëjtën çështje janë dënuar edhe persona të tjerë të përfshirë në skemën e manipulimit të votës, me dënime me burg dhe shërbim prove.

Edison Memolla fitoi zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022 dhe u konfirmua sërish në zgjedhjet vendore të vitit 2023, madje pas një procesi të përsëritur zgjedhor. Megjithatë, me dënimin e formës së prerë, ai humbet përfundimisht postin dhe Bashkia e Rrogozhinës do t’u drejtohet sërish kutive të votimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related