Emisioni “Fiks Fare” denoncoi gjendjen e kuzhinës së kopshtit shtetëror në Delvinë, i cili s’ka “tenxhere, tepsi, pjata e pirunj”.
Madje, edhe pjesët e tjera si soba, lavamani apo frigoriferi nuk ishin të përshtatshme për gatimin e vakteve për të paktën 40 fëmijë.
Grupi i Fiksit bisedoi me kuzhineren e kopshtit Dhurata Zejnati, e cila tregon gjendjen. Sipas saj, “s’ka enë kuzhinë, tenxhere, tepsi, tiganë, pjata e çdo gjë tjetër”. Sipas saj, në atë kopësht janë 40 fëmijë, por për t’u servirur tre vakte, mëngjesin, drekën dhe pasditen ajo e ka shumë të vështirë. Ajo thotë se kopshti ka qenë egzistues, ndërkohë që me drekë u hap me shpejtësi në muajin dhjetor 2022. Por, kuzhina s’kishte asnjë kusht dhe ajo është vetëm për të gatuar, pastruar dhe larë enët.
“Ja shikoni, s’ka asnjë gjë këtu. Unë kam marrë tenxheret e mia nga shtëpia, këtu ishte vetëm një. Më vinte keq për fëmijët ndaj i mora. Këtu s’është vënë dorë, as kuzhina dhe as respiratori. Është vetëm një sobë e vogël dhe një frigorifer i vogël. Të paktën ushqim ka, por e kam shumë të vështirë që t’u shërbej. Kam bërë disa ankesa në drejtori, te drejtoresha Alma Serjani, por deri më tani asnjë gjë.Kam shkuar te ish-kryetarja e Bashkisë Delvinë, ajo që e hapi kopshtin me drekë. Më mbanin me shpresa kot, jo do e bëjmë, por deri tani asnjë gjë. Kam shkuar dhe te kryetari aktual, por deri tani s’kanë marrë masa”, thotë Dhurata.
Në momentin që Fiksi po xhironte kuzhinën, vjen drejtoresha e kopshtit Alma Serjani, e cila i drejtohet Fiksit të mos xhirojë dhe se do interesohet nëse do japë informacion. Fiksi e pyet disa herë se përse është lënë në këtë gjendje kuzhina, teksa Dhurata e ka të pamundur të gatuajë në këto kushte për fëmijët. Ajo thotë se janë bërë disa kërkesa në Bashki dhe “na kanë thënë që vitin tjetër do e bëjnë kuzhinën”. Fiksi i thotë se situata nuk pret, pasi fëmijët duhet të ushqehen përditë, teksa ajo thotë se këtë problem e ka çuar te bashkia dhe i kërkon grupit të Fiks Fare të mos xhirojë.
